Trashëgimia është marka jonë
Trashëgimia jomateriale ose shpirtërore e shqiptarëve është shumë e pasur, duke nisur nga gjuha, simbolet kombëtare, folklori, kostumet, legjendat, baladat, kërcimet, ritet e zakonet. Por teksa ne krenohemi me këtë thesar, shumë pak është bërë në drejtim të politikave qeverisëse apo kuadrit ligjor për ta mbrojtur dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj.
Ky shqetësim u evidentua gjatë tryezës së çeljes së projektit “Heritage is our Brand”, (Trashëgimia është marka jonë) që po zbatohet nga DMO Albania në bashkëpunim me EUPolicyHub, dhe financim të Bashkimit Europian.
Në këtë takim ishin të pranishëm kreu i Seksionit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe zhvillimit social i Delegacionit të BE në Tiranë, Andrea Ferrero, nënkryetari i Akademisë së Shkencave Vasil Tole, drejtoresha e Politikave për trashëgiminë kulturore në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Znj. Benida Kraja, drejtues të Muzeumeve në Tiranë, ekspertë nga fusha të ndryshme të kulturës, antropologë, muzikologë, artistë, përfaqësues nga shoqata të artit. Pasi u ndanë shumë mendime rreth kësaj teme, gjithë palët në tryezë ranë dakord të vendosin ura bashkëpunimi jo vetëm për zbatimin me sukses të projektit por dhe për të ndikuar dhe lobuar në zgjidhjen e problematikave tek vendimmarrësit.
Në fjalën e tij zoti Andrea Ferrero, kreu i Seksionit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe zhvillimit social i Delegacionit të BE në Tiranë, e vuri theksin te rëndësia që ka trashëgimia dhe vlerat e identitetit kombëtar në integrimin europian. Nën moton të bashkuar në diversitet ai theksoi se së shpejti edhe Shqipëria do t’i bashkohet bllokut 27-vendësh.
“Është me shumë rëndësi që ju të integroheni me vlerat dhe identitetin tuaj kombëtar në BE, zakonet, traditat, historinë, sepse Europa është e tillë; e bashkuar në diversitet. Është një bllok me 27 vende dhe shpresojmë së shpejti të bëhemi 29. Trashëgimia shpirtërore është pjesë e rëndësishme dhe do të jetë me interes të shohim se si fëmijët dhe të rinjtë do të mendojnë për të dhe se çfarë do të thotë të jesh shqiptar dhe atë që përbën kulturën shqiptare,” theksoi zoti Andrea Ferrero.
Angazhimi i institucioneve publike
Nënkryetari i Akademisë së Shkencave Vasil Tole evidentoi se çelësi i përçimit të trashëgimisë kulturore tek të rinjtë është përmes edukimit. Ai propozon që trashëgimia kulturore të përfshihet në kurrikulat shkollore dhe rendit disa çështje që kërkojnë zgjidhje të shpejtë si: hartimi dhe mirëpërcaktimi i parimeve të strategjisë dhe të politikave shtetërore në fushën e trashëgimisë kulturore jo materiale; identifikimi i trashëgimisë kulturore shpirtërore përmes një shenjimi të veçantë të tipit të emblemës etj; ripërkufizimi i kuptimit të trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe i vlerave përbërëse të saj;
Drejtoresha e Politikave për trashëgiminë kulturore në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Znj. Benida Kraja, shprehu gatishmërinë e Ministrisë për të qenë pjesë e këtij projekti dhe kërkoi përfshirjen e institucioneve, universiteteve dhe artistëve. Ajo premtoi një bashkëpunim të ndërsjellë gjatë zbatimit të projektit për të ndarë rezultatet e sondazhit që do bëhet me të rinjtë dhe gjithë produktet artistike që do krijohen.
Ekspertë të tjerë të pranishëm në tryezë ndanë mendimin se ruajtja e trashëgimisë materiale e cila është e lidhur pashmangshmërisht me atë jo materiale, sie dhe plotësimi i teksteve shkollore janë gurthemeli për përcjelljen e pasurisë tonë shpirtërore ndër breza.
Rreth projektit
Puna për projektin “Heritage is our Brand” do të nisë me një sondazh me të rinjtë për të kuptuar se sa dinë aktualisht ata për trashëgiminë jomateriale. Me tej do bëhet një studim i thelluar, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, për të evidentuar 20 -30 histori të trashëgimisë tonë shpirtërore, të cilat më pas, përmes një thirrjeje për grante për artistët shqiptarë, do të kthehen në produkte artistike të ndryshme, dokumentarë, animime, instalacione, ekspozita vizuale etj.
Gjithë historitë, produktet artistike, materiale audio dhe video, broshurat dhe studimet e projektit do të përfshihen në platformën online Albania-Heritage.com, e cila do shërbejë si material studimor dhe informues për të gjithë grupmoshat, për
artistët por dhe për turistët.
Viti i dytë i projektit ka të bëjë me edukimin e të rinjve. Do të ketë një forum me mësuesit e Historisë dhe Letërsisë nga e gjithë Shqipëria, për t’ua prezantuar këto produkte dhe histori, në mënyrë që ata ti përfshijnë gjatë procesit të mësimdhënies. Më pas, do të ketë një konkurs për nxënësit që do të sjellin krijimet e tyre të bazuara në këto histori dhe produkte të këtij projekti.
Me shume rreth projektit www.dmoalbania.al
Tags:
Other News to Read
Trashëgimia është marka jonë
Trashëgimia jomateriale ose shpirtërore e shqiptarëve është shumë e pasur, duke nisur nga gjuha, simbolet kombëtare, folklori, kostumet,…
Muaji i Shenjtë i Ramazanit
Më 1 mars, besimtarët myslimanë në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, do të fillojnë…
Mbrojtësit e Botës Nëntokësore: Pse Shqipërisë i Duhen Eksploruesit e Saj të Shpellave?
Thellë nën malet e e thepisura të Shqipërisë shtrihet një botë e fshehur që pak vetë e kanë…
Cfarë të bëni në Mars në Tiranë
Ndërsa dimri na përshëndetet dhe shenjat e para të pranverës shfaqen në qytet, Tirana transformohet në një tablo…