Ritualet e dasmës së Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme

Ritualet tradicionale të dasmës së Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme janë gati njësoj.

Dasma tradicionale në Tiranë fillon zakonisht ditën e enjte. Kur hapen dyert e shtëpive, njerëzit priten me muzikë dhe ëmbëlsira. Dhëndri nuk vishet si dhëndër deri ditën që shkon të marrë nusen.

Të enjten ose të premten paja e nuses vjen në shtëpinë e dhëndrit. Gratë vijnë të shohin çfarë ka sjellë nusja dhe komentojnë nëse ajo ka qëndisur bukur apo ka blerë shumë orendi. Në shumicën e dasmave tiranase, nusja hedh karamele, oriz dhe lule në çdo valixhe me pajë për të simbolizuar një fillim të ri dhe të ëmbël jete.

E shtuna quhet “dita e nuses” për tironasit. Atë ditë, nusja feston fundin e beqarisë dhe darkon pa burrin, pasi konsiderohet koha e saj e fundit “e lirë”. Sipas zakonit, darka fillon rreth orës 20:00 dhe zhvillohet në një nga oborret më të gjera të lagjes. Në ditët e sotme mbahet kryesisht në një lokal ose restorant, por ketu po flasim për ritet e dasmave që bëheshin në oborrin e shtëpisë.

Dhëndri dhe rrethi i ngushtë familjar i bashkohen darkës pas mesnate. Ata nuk qëndrojnë më shumë se një orë dhe kërcejnë për nder të familjes së nuses.

Te dielen nusja del nga Shtepia

Dasem me Pajton
Foto: Andi Dhimitri

Të dielën nusja përgatitet të largohet nga shtëpia e nënës së saj dhe zakonisht rreth orës 11 vjen dhëndri me dajën dhe një fëmijë të vogël, të afërmin e tyre, i cili i dhuron lule nuses. Fëmija i vogël që sjell lulet duhet të jetë i shëndetshëm, nuk ka rëndësi djalë a vajze. Pastaj hipin në pajton, që dikur ishte një pelë e bardhë e lidhur me një karrocë. Ai që e drejtonte pajtonin duhej patjetër të kishte dhe kostum popullor tradicional. Sot pajtoni është zëvendësuar me makinën e cila zbukurohet me lule të shumta. Krushqit priten me këngë të shumta në oborr.

Kur hyn dhëndri në dhomën e shtëpisë së nuses, ai përshëndetet nga të gjithë dhe paraprihet nga vëllai i nuses, ose nëse nusja nuk ka vëlla, një kushëri i saj, i cili më pas i bie dhëndrit me shuplakë. E gjithë kjo bëhet për t’i treguar dhëndrit se këtu është dikush për këtë vajzë dhe ai duhet ta trajtojë me kujdes dhe respekt. Sipas zakonit, njëri nga njerëzit e dhëndrit duhet të jetë më i zgjuar dhe më i aftë se njerëzit e shtëpisë së nuses për t’i vjedhur ndonjë send ose send para se të largohen duke thënë: “Ne jemi më të mirët, ju vodhëm dicka..- të cilën e kthejnë sërish aty ku e morën. E gjithë kjo bëhet për të krijuar humor në dasma, ku ka një konkurencë që një familje është me e mencur se tjetra.

Nusja duhet të qajë

Fqinjet dhe farefisi jane duke pare sytë e nuses. Duket me bukur nëse ajo qan. Kjo tregon se ajo po lë prindërit pas dhe shtëpinë ku u rrit. Nëse nuk qan do përgojohet keq nga dasmorët. Para se të kalojë pragun e shtëpisë, i hidhet raki në këmbë. Ky ka mbetur një zakon për të mbajtur larg djallin dhe syrin e keq. Pas daljes së nuses, ajo kërcen me fqinjët dhe të afërmit e saj para shtëpisë apo pallatit, ku muzika dhe atmosfera festive nuk pushojnë. Më pas, nusja e stolisur futet në pajton apo makinë, e mbuluar me një sixhade.

Pas kësaj, makinat nisën në një karvan, duke i rënë borive dhe duke lëvizur nëpër qytet. Mund të kthehen në një vend të bukur, kryesisht në natyrë për të bërë disa foto që do mbushin Albumin e Dasmës.

Mbërritja në shtëpinë e burrit

Me t’u afruar në shtëpi, nusja dhe dhëndri shohin vjehrrën duke dalë dhe duke pritur te dera me një ëmbëlsirë, të cilën ajo e ha gjysmën vetë dhe gjysmën ia jep nuses, së bashku me një pjatë me mjaltë, në të cilën nusja zhyt dy gishta dhe i fshin në pragun e portës. Pasi përfundon ky ceremonial, nusja futet brenda dhe qëndron për disa orë me kokën ulur, pa kontakt me sy dhe vetëm duke thënë “Faleminderit!”, teksa njerëzit e urojne të trashëgohet. Fjala Të Trashëgohesh, do të thotë të kesh fëmijë, gjë që konsiderohej dhe urimi kryesor dhe qëllimi pse lidhej martesa, pra për të vazhduar trashëgiminë e familjes dhe brezave. Festa vazhdon me darkën tradicionale te shtëpia e burrit, ku zakonisht burrat rrinin në dhomë më vete dhe gratë në dhomë më vete. Sot darka gjitashtu bëhet në lokal. Por dikur bëhej në shtëpi dhe nusja pa u larguar të ftuarit, futej në dhomën e vet dhe priste që të vinte dhe bashkeshorti, pasi të ishin larguar të gjithë të ftuarit. 

Shih disa video te dasmave tironse ose Shqiperia e Mesme

“Dasma Shqiptare” – Shqipëria e Mesme (youtube.com)

Eugena Aliu – Dasma Tironse (Potpuri e Shqipërisë së mesme) (youtube.com)

Share this article

Other News to Read

ChocoAlb- çokollatat e para artizanale shqiptare

ChocoAlb- çokollatat e para artizanale shqiptare vijnë për të gjithë ju, me shije unike shqiptare dhe formate dhuratë

Çfarë blejnë shqiptarët për Vitin e Ri

Dhjetori është një nga muajt kur shqiptarët shpenzojnë më shumë para. Blerja e dhuratave për vitin e ri po…

Dhjetori në Tiranë: Atmosfera magjike e festave

Teksa stina e dimrit e mbështjellë Tiranën, dhjetori sjell një qytet të zbukuruar me drita vezulluese, tregje të…

Parada e shqiptarëve në Ditën e Pavarësisë

Më 28 Nëntor, në kuadër të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Tirana u bë qendra e bashkimit kombëtar,…

Subscribe to our Newsletter!