Historia e Radio Tiranes
Shumë prej jush mund ta kenë dëgjuar shprehjen “Ju flet Tirana”, e disa mund ta kenë përjetuar me emocion sa herë niste transmetimet radio e parë në Shqipëri, Radio Tirana. Ne kemi vendosur të sjellim në vëmendje historinë e Radio Tiranës për ata që nuk e kanë dëgjuar si dhe për ata që kanë nostalgji.
“Ju flet Tirana!”– Ishte thirrja që prej 28 nëntorit të vitit 1938 e deri sot e kësaj dite, emeton fjalën shqip për shqiptarët, duke na kujtuar se, është e para radio në vend që hodhi bazat dhe ndërtoi historinë e radiofonisë në Shqipëri.
Radio Tirana, për herë të parë në historinë e saj, ka nisur transmetimet më 28 Nëntor të vitit 1938, pesë muaj para pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Fillimisht Radio Tirana e kishte rezidencën e vet në një prej ambienteve të Bashkisë së atëhershme, por që aty nga fundi i vitit 1939, u transferua në një ndërtesë të re në rrugën Kont Urani. Lajmi për hapjen e një radioje në kryeqytetin shqiptar, ku të flitej dhe transmetohej muzikë shqipe, u prit me entuziazëm të madh tek njerëzit. Në Tiranën e Mbretit Zog, ideja e një radioje, ishte ndër shanset e mëdha të përhapjes së një fryme emancipuese për shoqërinë e prapambetur shqiptare. Dëshmitë tregojnë se në ceremoninë e inaugurimit të Radio Tiranës, morën pjesë vetë Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë, të cilët mbajtën edhe fjalimet përkatëse. Nga kjo radio fillimisht transmetohej muzikë patriotike e popullore shqiptare dhe kryesisht për muzikën përdoreshin disqet e gramafonëve të dhuruara nga qytetarët.
Në kohën kur Shqipëria po pushtohej nga Italia fashiste, më 7 Prill 1939, kudo u bënë thirrje që populli të ngrihej kundër këtij pushtimi. Jehonë të madhe bëri dhe thirrja që vinte nga radio Tirana. Nga fundi i viteve 1939, Radio Tirana transferohet si godinë dhe duke filluar nga viti 1940, nisi të botojë edhe një revistë të përdyjavshme, e cila u quajt së pari “Radioprogram”, e më pas “Radiorevista Tirana” dhe “Vatra shqiptare”.
Me pushtimin gjerman shënohet edhe incidenti më i rëndë me njerëzit e radios. Më 17 Nëntor të vitit 1943, i gjithë personeli i radios thirret për një mbledhje, që në fakt ishte grackë e Gestapos. Gjithsesi, radioja ra në duart e gjermanëve dhe u desh një natë e vetme, ajo e 17 nëntorit të vitit 1944, që të çlirohej Tirana si dhe të rimerrej radioja që i përkiste veç asaj.
Më 27 Nëntor 1944, Radio Tirana rifilloi traditën e vet. Vijoi muzika partizane, sazet popullore, muzika e interpretuar nga artistët prezent në studio, shoqëruar nga pianisti italian Mario Etore dhe shqiptarja Lola Gjoka. Çdo natë ishte si një premierë. Artistë që vinin e shkonin, emocione të drejtpërdrejta, altoparlantë të vendosur në pikat më kyçe të kryeqytetit dhe turmat e njerëzve që dëgjonin përmes tyre. Këngëtarët lirikë që debutuan pas lufte ishin Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Marie Kraja, e plot të tjerë. Më pas filluan emisionet me këngë patriotike, reportazhe nga hekurudhat, nga jeta në qytet, filluan emisionet “Ora e gruas”, “Ora e fëmijëve”, “Ora e katundarit”, “Ora gazmore”, “Këshilla mjekësore”, etj. Që në ditët e para të pas luftës, Radio Tirana ka transmetuar dhe lajme në gjuhë të huaj, duke vazhduar përvojën e nisur që në prill të 1939.
Në 1945, Radio Tirana fillon për herë të parë në historinë e saj, një cikël emisionesh sportive, ku protagonist i saj bëhet Anton Mazreku. Në vitin 1946, filloi dramatizimi i pjesëve të ndryshme, me pjesëmarrjen e aktorëve më të mirë të skenës shqiptare.
Dashuria me jugosllavët, rusët dhe kinezët dhe më pas miqësitë e prishura me ta, reflektoi ndjeshëm në programacionin e Radio Tiranës. Ajo do të zhvendosej përfundimisht në ndërtesën e nisur nga rusët, të vazhduar nga kinezët dhe të përfunduar nga shqiptarët. Është pikërisht ndërtesa ku Radio Tirana gjendet sot.
Më vonë krijohet orkestra e madhe, që njihej me emrin “Orkestra e radios dhe kinematografisë”, ndërkohë që në vitin 1962, Festivali i parë i muzikës së lehtë shqiptare, i njohur si “Festivali i Radios”, merr jetë, për të vazhduar një traditë shumë vjeçare. Në vitin 1972, me fillimin e liberalizimit të jetës në vend provoi futjen e muzikës së huaj, siç ishin për shembull “Beatles”. Gjithçka liberalizuese që kishte nisur të lulëzonte u ndërpre në mes dhe Radio Tirana vazhdoi me ritualin e saj propagandistik.
Vitet ’90’
Vitet ‘90’ e gjetën Radio Tiranën pothuajse me të njëjtin personel. Era e ndryshimeve, solli më shumë liri për gazetarët, por edhe më shumë hapësirë dhe vërtetësi për dëgjuesit, të cilët e shihnin RTSH, si të vetmin mjet informimi për ngjarjet e vrullshme që shoqëronin Shqipërinë. Radio Tirana është dëshmitare, por edhe protagoniste e historisë shqiptare. Janë punonjësit e saj, të gjithë të apasionuar, njerëz kurajozë e profesionistë, të gjithë të dashuruar pas radios dhe magjepsjes së saj, ata që sot inspirojnë dëgjuesin e Radio Tiranës, duke ia lartësuar emrin si tempulli i kulturës dhe emancipimit njerëzor.
Other News to Read
ChocoAlb- çokollatat e para artizanale shqiptare
ChocoAlb- çokollatat e para artizanale shqiptare vijnë për të gjithë ju, me shije unike shqiptare dhe formate dhuratë
Çfarë blejnë shqiptarët për Vitin e Ri
Dhjetori është një nga muajt kur shqiptarët shpenzojnë më shumë para. Blerja e dhuratave për vitin e ri po…
Dhjetori në Tiranë: Atmosfera magjike e festave
Teksa stina e dimrit e mbështjellë Tiranën, dhjetori sjell një qytet të zbukuruar me drita vezulluese, tregje të…
Parada e shqiptarëve në Ditën e Pavarësisë
Më 28 Nëntor, në kuadër të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Tirana u bë qendra e bashkimit kombëtar,…