Notice: Function _load_textdomain_just_in_time was called incorrectly. Translation loading for the location-weather domain was triggered too early. This is usually an indicator for some code in the plugin or theme running too early. Translations should be loaded at the init action or later. Please see Debugging in WordPress for more information. (This message was added in version 6.7.0.) in /home/u755995758/domains/visit-tirana.com/public_html/wp-includes/functions.php on line 6114
Ekspozita "Inkandeshente" nga Bashkim Dervishi - Visit Tirana

Ekspozita “Inkandeshente” nga Bashkim Dervishi

Ka shumë arsye për të vlerësuar një vepër apo rrugëtim artistik.

Së pari, vjen nga historiku i një atropologjie pamore që fikson nuancat e jetës së artistit të përkthyera në copëza imazhesh epike apo rutinë, në përndritjen e shpirtit artistik që nga penelatat piktorike ndriçon histori njerëzore, hera herës në intimitetin e ngjarjeve të vogla, e hera herës në përplasjet historike të ngjarjeve të mëdha kulturore.

Së dyti, vjen nga një hulumtim i detajuar estetik të marrëdhenies së artistit me kohën e tij, në përthyerjet e mjeteve artistike, ku shpesh fotografia si memorie historike gërshetohet me pikturën poetike, sekuenca imazhesh ikonografike kombëtare apo ndërkombëtare pasqyrohen në fetishe të reja pamore duke ndërtuar një dialog të ri kulturor.

Sipas Guy Debord “Shoqëria e spektaklit, në agun e erës televizive, ka rrokur me kthjelltësi të jashtëzakonshme se bota reale do transformohej në imazhe, se spektakli do bëhej “prodhimi kryesor i shoqërisë aktuale”. Komunizmi (i pronarëve të proletariatit) dhe kapitalizmi (i pronarëve të kapitalit), ishin veç dy forma regjimi politik, njëra e bazuar mbi “spektakolaren e përqendruar” dhe tjetra mbi “spektakolaren e shpërhapur” të konsumizmit.”

E megjithatë Bashkim Dervishi i thur himn “Gruas”, magjisë së saj, brishtësisë dhe njëkohësisht forcës së saj pamore në situata të ndërmjetme, diku në përditshmëri dhe diku në kapërcyell të historisë së artit. Ai është Adami Postmodern që e ndjek Evën në kopshtin e artit të tij, duke na servirur të zhveshura jo thjesht figurat femërore, por duke zhveshur historinë. “Mona Lisa e Da Vincit” bëhet më e fortë dhe tunduese në “Nudon/Mona Lisa të Dervishit”, apo “Motra Tone e Idromenos” fiton fuqinë e brishtësisë femrore në nuditetin e fshehur në “Motrën Tone të Dervishit”.

Ambiguiteti i imazheve nga i njëjti imazh është një koncept dhe gjendje e qartë artistike i tij duke analizuar si ndikojnë në jetën tonë të përditshme imazhet e një kulture popullore (Pop Arti) që Andy Warhol e nënvizon: “Fillova të përsëris të njëjtin imazh sepse më pëlqen mënyra se si përsëritja ndryshon të njëjtin imazh. Gjithashtu, ndieja në atë kohë, si dhe tani, që njerëzit mund të shikojnë dhe të përvetësojnë më shumë se një imazh në të njëjtën kohë.”

Çdo penelatë e tij është si të pikturosh një dritë të brendshme, një inkandeshencë shpirtërore, ashtu siç vetë artisti thotë si e përshkruan me fjalë të thjeshta kritiku Llambi Blido se “në pikturat e Bashkimit penelatat duken si llampa neoni.”

Prof. Asc. Dr. Ardian Isufi
Kurator

Galeria FAB Gallery Universiteti i Arteve, Tirane

25/09/2024 – 05/10/2024

19:00

Subscribe to our Newsletter!